Burkhard për "fair play" në zgjedhjet e Këshillave Kombëtarë
Intervista

Burkhard për "fair play" në zgjedhjet e Këshillave Kombëtarë

03.Oct.2014 22:44
0

Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Serbi, Peter Burkhard, pret që kandidatët në zgjedhjet e 26 tetorit të garojnë në mënyrë të drejtë duke respektuar njëri tjetrin.

Në intervistën ekskluzive dhënë portalit informativ Titulli.com, Ambasadori i OSBE-së i bënë thirrje qytetarëve në Serbinë jugore që të regjistrohen në Listën e Veçantë në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Burkhard, lidhur me punë e KKSH-së në mandatin e parë të saj thotë se ajo ka arritur rezultate të prekshme në katër fushat me kompetencë.

Ai thekson nevojën e vazhdimit të dialogun me qeverinë qendrore pasi vonesat në dialog dhe zgjedhjet e hershme parlamentare, kanë shtyrë zgjidhjen e çështjeve problematike, përfshirë dhe pasojat në vijim si rezultat i bojkotit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

“Në çfarëdo rasti neglizhenca dhe bojkotet nuk i ndihmojnë proceseve politike të lëvizin përpara. Vetëm nëpërmjet angazhimit të drejtpërdrejt dhe përkushtimeve serioze për zgjidhje të problemeve me dialog mund të arrihen rezultate të qëndrueshëm dhe afatgjatë.”, thotë ambasadori Peter Burkhard.

Titulli:  Z. Ambasador, zgjedhjet për Këshilla Kombëtare po afrohen dhe deri më sot në Luginë të Preshevës kemi një numër të partive politike shqiptare të cilat kanë dalë me vendim pro pjesëmarrje në zgjedhje, si vlerësoni përgatitjet për këtë proces zgjedhor të pakicave? 

Ambasadori Peter Burkhard: Përgatitjet për zgjedhje janë bërë në kohë të duhur dhe pa ndonjë pengesë të madhe. Është shumë e rëndësishme që kësaj rradhe zgjedhjet për Këshillat Kombëtarë të Pakicave do të organizohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në përputhje me ndryshimet e fundit të Ligjit mbi Këshillat Kombëtarë të Pakicave. Në të njejtën kohë, Lista e Posaçme e Votuesve të pakicave kombëtare është duke u plotësuar dhe me sa di unë ky proces është duke ecur mirë. Që nga vera e këtij viti, kur Ministria shpalli datën e mbajtjes së zgjedhjeve, partitë politike, grupet qytetare dhe listat e ndryshme të pakicave kombëtare në Serbi janë angazhuar të bëjnë përgatitjet e duhura, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve për Këshillat Kombëtarë të Pakicave. Jo vetëm në Serbinë jugore, por edhe në pjesë tjera të vendit, ata kanë patur kohë të mjaftueshme të formojnë listat e kandidatëve dhe të përgatiten për rezultate të suksesshëm. Unë pres që kandidatët në zgjedhjet e Këshillave Kombëtarë do të garojnë në mënyrë të drejtë dhe me respekt për njëri tjetrin. Gjersa bëjnë fushatë, kandidatët dhe partitë duhet t’a kenë parasysh se pas zgjedhjeve do të duhet të punojnë së bashku në interes të komuniteteve të tyre. 

Titulli:  Si e shihni punën e KKSH-së gjatë këtij mandati të parë? 

Ambasadori Peter Burkhard: Duke patur parasysh se Këshilli Kombëtar Shqiptar është formuar vetëm para katër vitesh unë mendoj se ai ka arritur disa rezultate të prekshëm gjatë mandatit të tij të parë. Sipas Ligjit, Këshillat Kombëtarë të Pakicave kanë kompetenca të rëndësishme në fushën e arsimit, kulturës, medieve dhe përdorimit të gjuhës. Në këtë drejtim Këshilli Kombëtar Shqiptar ka arritur rezultate në sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në Serbinë jugore. Megjithatë, ka nevojë për përpjekje të mëtutjeshme sidomos në fushën e arsimit. 

Titulli:  Ky organ i themeluar enkas për pakicën shqiptare, në të ardhmen a do të mund të zgjidhë problematikat me të cilat ballafaqohen banorët e këtij rajoni në jug të Serbisë? 

Ambasadori Peter Burkhard: Këshillat Kombëtarë të Pakicave janë institucione legjitime me kompetenca në fushën e informimit, gjuhës, kulturës dhe arsimit. Këshilli Kombëtar i Pakicës Shqiptare, së bashku me institucionet e qeverisë dhe vetëqeverisjen lokale, mund të punojnë bashkarisht në adresimin e çështjeve aktuale të pazgjidhura, si për shembull, në fushën e arsimit, promovimin e kulturës dhe gjuhës së pakicës kombëtare. Unë inkurajoj fuqishëm pjesëtarët e komunitetit shqiptarët të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të votojnë më 26 tetor. 

Titulli:  Deputetët shqiptar në Kuvendin Republikan kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me zvogëlimin e anëtarëve në Këshillin Kombëtar Shqiptar, si e vlerësoni këtë përgjysmim në anëtarësi? 

Ambasadori Peter Burkhard: Ne jemi në dijeni të brengave të deputeteve dhe politikanëve lokalë në Serbinë e jugut. Por ne besojmë se kjo çështje duhet të adresohet pas zgjedhjeve për Këshillat Kombëtarë. Vonesat në dialog në mes të përfaqësuesve lokalë nga Serbia jugore dhe qeverisë qendrore si dhe zgjedhjet e hershme parlamentare në mars e kanë shtyrë zgjidhjen e çështjeve problematike, përfshirë dhe pasojat në vijim si rezultat i bojkotit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011. Ne inkurajojmë qeverinë dhe politikanët lokalë në Serbinë jugore që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për këtë“nyje gordiane”. Në çfarëdo rasti, neglizhenca dhe bojkotet nuk i ndihmojnë proceseve politike të lëvizin përpara. Vetëm nëpërmjet angazhimit të drejtpërdrejt dhe përkushtimeve serioze për zgjidhje të problemeve me dialog mund të arrihen rezultate të qëndrueshëm dhe afatgjatë. 

Titulli:  Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ka ndihmuar KKSH si në procesin e themelimit njashtu edhe gjatë funksionimit të saj katërvjeçar, a do të vazhdojë përkrahja e organizatës që ju drejtoni edhe pas 26 tetorit? 

Në bazë të mandatit që ka, Misioni i OSBE-së në Serbi mbetet i përkushtuar në ofrimin e ndihmës për institucionet, përfshirë dhe Këshillat Kombëtarë. Me punën tonë ne shpresojmë të rrisim kapacitetet e Këshillave që ata të përmbushin mandatet e tyre. Misioni mbetet i gatshëm të punojë me Këshillin e ri Kombëtarë të Pakicës Shqiptare pas zgjedhjeve. Unë dua edhe njëherë të përdor këtë rast t’i bëjë thirrje votuesve të pakicave kombëtare në Serbinë jugore të regjistrohen në Listat e Posaçme dhe të votojnë më 26 tetor si dhe të bashkëpunojnë më Këshillat Kombëtarë pas zgjedhjeve për të mirën e tyre. /Titulli.com/

Beqiri: Prioritet ishte arsimi, pushtetet lokale pengesa për avancimin e pozitës shqiptare në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration